Ka nisur sot(e premte, 06 mars) takimi i thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pjesëmarrjen e ka refuzuar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Prezent janë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se do të jetë “i pranishëm në një ekspozitë” në kohën kur do të mbahej takimi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tanimë ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

Ajo tha se ky vendim vjen pasi deputetët nuk arritën që brenda afateve ta zgjedhin presidentin e ri.

“Përfaqësuesit mbrëmë vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje. Ka qenë krejt e evitueshme. Në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”.

“Pra afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti. Deputetët e Kuvendit kanë pasë në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë kushtetuese nga momenti i konstituimit të tij. Ata vendosën që të mos e bëjnë këtë. Ky është realiteti institucional”, shtoi.

Lëvizja Vetëvendosje, këtë dekret e ka cilësuar si antikushtetues dhe ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj tij.