Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka deklaruar se Aleanca nuk i ka vendosur kushte Albin Kurtit për zhbllokimin e institucioneve dhe as nuk ka kërkuar përfshirje në Qeveri, por ka paraqitur kërkesa që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së Kosovës.
Në emisionin “Pressing” në T7, Gjini tha se një nga kërkesat kryesore të AAK-së ka qenë pranimi i projektit të gazit amerikan, të cilin e cilësoi si çështje strategjike.
“Ne nuk kemi vendosur kushte, ne kemi bërë një ofertë për me zhblloku situatën. Oferta jonë ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe me rregullimin e proceseve strategjike për një të ardhme jo aq të largët. Kërkesa jonë për me pranu gazin amerikan është kërkesë strategjike, sepse nuk është kërkesë vetjake. Nuk kemi kërkuar pjesëmarrje në institucione”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka ritheksuar se AAK-ja nuk ka kërkuar poste qeveritare, por vetëm përmbushjen e disa kërkesave që i konsideron të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Ndryshe, Gjini nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me partitë opozitare. Ai kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të shkonte në këtë takim, me arsyetimin se kërkesat e Aleancës ishin bërë tashmë publike dhe nuk kishte nevojë të diskutoheshin në një takim të mbyllur.









