Këtë të diel, duke filluar nga ora 14:00, në Hagë të Holandës, do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale – në qytetin ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kjo protestë është thirrur nga mërgata shqiptare dhe është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), për, siç thonë ata, padrejtësitë që po bëhen në procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Po ashtu, protesta është mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive.
Kjo protestë mbahet pas asaj që u organizua në Prishtinë më 7 gusht. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Prishtinë për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, e në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Të hënën, në Hagë nisin dëshminë dëshmitarët e mbrojtjes. Ish-diplomati amerikan, James Rubin, do të jetë i pari që do të jap dëshminë në gjykatore.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









