Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i ka dhënë mbështetje protestës që do të mbahet në Shqipëri të premten në ora 17:00, përkatësisht në Tiranë, te sheshi “Skënderbej”.
Kryegjyshata Bektashiane u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë protestë paqësore dhe të kërkojnë drejtësi të barabartë për të gjithë. “Ngjarja do të shërbejë si thirrje për drejtësi dhe për të mbështetur të akuzuarit në Dhomat e Specializuara në Hagë”, theksohet në njoftimin e Kryegjyshatës.
“Protesta ka për qëllim të kërkojë një gjykim të drejtë në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, thuhet aty.
Protesta në Tiranë ka gjetur mbështetje të gjerë gjithandej. Është mbështetur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Po ashtu, përkrahje i kanë dhënë edhe tifo grupet: Dardanët dhe kuq e zinjtë.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









