Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit në Tiranë kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
BDI-ja ka njoftuar se kjo parti dhe Ahmeti më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoni të Veriut, i kanë anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara partiake për të marrë pjesë në protestë.
Ahmeti, në cilësinë e njërit nga themeluesit e UÇK-së, ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë më 7 gusht, ku edhe mbajti një fjalim para dhjetëra mijërave të pranishmëve.
“Për BDI-në dhe Kryetarin e saj, lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e domosdoshme dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike, perëndimore dhe liridashëse. Paslufta dhe proceset e panumërta gjyqësore, vendore e ndërkombëtare, kanë dëshmuar qartë çiltërsinë e asaj lufte për liri, demokraci dhe pavarësi”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
BDI thekson se drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet “mbi procese politike të imponuara nga Rusia, as mbi ‘dëshmi’ të fabrikuara nga Serbia”. “Kryetari Ali Ahmeti është pjesë e pandarë e luftës për lirinë e kombit shqiptar dhe për këtë arsye mbështet fuqishëm protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, duke anuluar të gjitha aktivitetet partiake zgjedhore”.
Ndryshe, më 17 tetor, në ora 17:00, do të organizohet protesta kundër Gjykatës Speciale në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, te sheshi “Skënderbeu”.
Kjo protestë është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









