Sot, duke filluar nga ora 17:00, në Prishtinë, do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Kjo protestë është thirrur nga organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së.
Ish-luftëtarë, familjarë të dëshmorëve, artistë e politikanë e kanë mbështetur protestën. Të gjithë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kur njoftoi për organizimin e protestës, tha se është thirrur për shkak të “padrejtësive të Gjykatës Speciale”, “shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve” dhe, siç u shpreh, “heshtjen e institucioneve të vendit”.
Në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









