Ka nisur takimi i grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Takimi po mbahet sot, të shtunën, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Në takim po marrin pjesë deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Ky takim vjen pas mbledhjes konstituive të grupit, të mbajtur më 28 tetor, në të cilën ishin përcaktuar drejtimet kryesore të strategjisë dhe mënyra e organizimit të punës.

Grupi punues ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 14 tetor, me qëllim të koordinimit të mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e apelit.

Ndër detyrat e tij janë bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, identifikimi i nevojave për dokumentacion dhe ekspertizë profesionale, si dhe shqyrtimi i çështjeve që lidhen me standardet e gjykimit të drejtë.

Të enjten, Konjufca kishte paralajmëruar se takimi i sotëm do të zgjaste disa orë dhe se në të do të shqyrtoheshin dokumentet e përgatitura nga institucionet e përfaqësuara në grupin punues.