Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të trajtojë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Tahiri tha se nesër do të kërkojë që kjo çështje të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit.
“Do të kërkoj që ta diskutojmë këtë temë në Kryesinë e Kuvendit. Në këtë temë Aleanca nuk synon të marrë lidership”, tha Tahiri.
Ai vlerësoi se mungesa e një reagimi institucional është shqetësuese, duke kërkuar që Kuvendi të ketë një qëndrim lidhur me vendimin e Hagës.
“Nesër Kuvendi duhet të caktojë seancën e radhës. Në atë seancë, normalisht, pika e parë duhet të jetë kjo që ka ndodhur në Hagë dhe të kemi një qëndrim”, u shpreh ai.
Tahiri tha se Aleanca propozon edhe themelimin e një komisioni ad-hoc për trajtimin e kësaj çështjeje.
“Ne mendojmë si Aleancë që Kuvendi do të duhej të themelonte një komision ad-hoc që e trajton vetëm këtë temë”, deklaroi Tahiri.









