“Jo me parat tona kundër nesh”, “Mos luani me sakrificën tonë”, “Stop shtrembërimit të Historisë”, janë vetëm disa nga pankartat e protestuesve para Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar nga ora 13:00, pranë Kuvendit të Kosovës.

Protesta u thirr nga Organizatat e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj ekspozitës skandaloze për masakrat në Kosovë, ku u konstatuan pasaktësi.

Xhavit Jashari, përfaqësues i OVL-UÇK-së, ka thënë se ka dyshime se informacionet për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, u morën nga Serbia.

“Ne vlerësojmë veprimin e Komunës së Prishtinës që largoi këto eksponate për të cilat dyshojmë se informacionet janë marrë nga shërbimet sekrete serbe. Dyshimet tona janë se kanë bashkëpunuar me këto institucione të cilat përpjekjet i kanë për të barazuar luftën tonë me atë që ka bërë ushtria serbe në Kosovë”, tha Jashari.

Në shenjë frustrimi, protestuesit kanë hedhur ngjyrë para dyerve të Kuvendit, institucionit që e mbështeti financiarisht ekspozitën.

Fillimisht protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve janë veteranë të UÇK-së, u mblodhën jashtë ndërtesës së Kuvendit, pastaj hynë në oborrin e tij edhe pse u tentuan që të pengohen nga policia.

Pasi që u konstatuan pasaktësi në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim që të largohet ekspozita nga sheshi “Nënë Tereza”.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për t’u përcaktuar nëse përmban elemente penale.