Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota për një rezolutë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rastet e tjera të vrasjes së grave dhe dhunën në familje ndaj grave dhe fëmijëve.

Rezoluta vë në fokus përgjegjësinë institucionale për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e jetës dhe sigurisë së grave.

Përmes saj theksohet nevoja që institucionet t’i trajtojnë me seriozitet të gjitha raportimet për dhunë në familje dhe të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e saj me pasoja fatale.

Rezoluta trajton edhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sigurimin e qasjes së grave dhe fëmijëve në mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme.

Miratimi i saj vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet para se të vritej më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.