Zyrtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është detyruar që t’ia paguajë 2 mijë euro ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.

Padinë e ka fituar Shala lidhur me një postim të Zogianit në rrjetin social Facebook me përshkrimin: “Kjo foto tregon monopolin e vetëm një pjese të familjes së Ferat Shalës në sektorin publik! Dje Ferat Shala e çoi ligjin për Fondin Sovran në Gjykatë Kushtetuese me pretendimin që ky ligj krijon monopol!”.

Gjykata, në vendimin e saj, e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar padinë e Shalës ndaj Zogianit.

“Aprovohet pjesërisht e bazuar kërkesëpadia e paditësit Ferat Shala nga Prishtina, ashtu që detyrohet i padituri Avni Zogani nga Prishtina, që në emër të dëmit jo material për shkak të shpifjes përmes publikimit në rrjetin e tij social… t’ia paguajë shumë prej 2000 euro…”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Zogiani urdhërohet që ta fshijë postimin e bërë në Facebook më datë 27 dhjetor 2023, në afat prej 15 dite nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Lidhur me këtë vendim, ish-deputeti i PDK-së, Shala, theksoi se Gjykata e vërtetoi “atë që kam thënë prej fillimit: shpifja dhe njollosja publike nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi”.

“Me aktgjykimin e datës 21.05.2026, gjykata e aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë time ndaj Avni Zogianit, duke konstatuar se publikimi i bërë ndaj meje në Facebook ka shkaktuar dëm jo-material përmes shpifjes”, shkroi ai në Facebook.

Për të, ai thotë se kjo nuk është “çështje hakmarrjeje personale”. “Është një mesazh se askush nuk duhet të lejojë që reputacioni, familja dhe puna e tij të sulmohen me të pavërteta për interesa politike apo personale”.

Edhe ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ishte dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe ishte detyruar që t’ia paguajë 25 mijë euro paditësit.

Padinë e pati fituar Mustafë Grainca, në lidhje me shkrimet që Basha i kishte bërë në media dhe në llogarinë e tij në Facebook, ku e kishte quajtur Graincën si “mafi të betonit”, duke e akuzuar për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimin në Komunën e Ferizajt.