Ky lajm është përditësuar.
Nënshkrimet e delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët po kërkojnë thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së për votëbesim ndaj Kryetarit Lumir Abdixhiku, janë dorëzuar te Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie.
Dorëzimi i nënshkrimeve u bë nga deputeti i zgjedhur Armend Zemaj dhe nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi.
“Unë e kam deklaruar numrin e nënshkrimeve dhe është sipas normale statutare të LDK-së”, tha Zemaj për gazetën Nacionale.
Pas këtij veprimi, Dushi theksoi se presin “zhvillimin e procedurave konform statutit të LDK-së”.
Se janë dorëzuar nënshkrimet, e ka pranuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati. Ai ka thënë se do të krijohet një Komision për verifikimin e nënshkrimeve dhe më pas ai, ose Abdixhku do të japin detaje për numrin e tyre dhe se si do të veprohet.
“Kemi pranuar kërkesën e nënshkruesve dhe bashkangjitur një kopje e nënshkrimeve. Numrin s’mund ta themi, sepse jemi në proces të verifikimit. Do të krijojmë një komision dhe do të verifikojmë. Pasi që të bëhet procesi i verifikimi preliminar, dalim ose unë ose kryetari me një mesazh”, tha Ferati për Gazetën Express.
Ai paralajmëroi se këtë të mërkurë ose të enjten do të dalin me një verifikim preliminar për numrin e nënshkrimeve.
Kuvendi i LDK-së në tërësi i ka 355 delegatë. Por, Kuvendi mund të mblidhet me 118 nënshkrime.
Sipas statutit të LDK-së, me dorëzimin e nënshkrimeve, Kuvendi duhet të thirret brenda 60 dite.
Pas rezultatit në zgjedhjet parlamentar të 7 qershorit, disa degë të LDK-së, si ajo e Pejës dhe Lipjanit, por edhe personalitete të rëndësishme të kësaj partie si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut.
Nga ana tjetër, Abdixhku ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të largohet dhe ka sulmuar kritikët.
Në zgjedhje e 7 qershorit, LDK-ja u rendit parti e tretë me rreth 17 për qind, apo 18 deputetë – tre më shumë se që kishte në zgjedhjet e dhjetorit 2025.









