Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, shkon pa paragjykime dhe me shpresën që të ketë progres drejt formimit të institucioneve.
Para nisjes së takimit, Hamza tha se pret që procesi të rezultojë i suksesshëm për vendin.
“Ne po shkojmë me iu përgjigj ftesës pa paragjykuar, ku uroj dhe besoj që me pasë sukses, me pasë progres, vendi me pasë institucione, me pasë stabilitet institucional edhe me pasë progres e përparim”, tha Hamza.
Ai theksoi se diskutimet nuk kanë të bëjnë me ndarjen e pozitave apo emrat e përveçëm, por me parimet mbi të cilat duhet të ndërtohen institucionet.
“Ne s’po flasim as për pozicione, as për emra, po flasim për parime”, deklaroi ai.
Hamza përsëriti se nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie politike dhe se është i gatshëm të bisedojë me secilin lider politik në funksion të interesit të vendit.
“Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë. Fillimisht për prioritetet, se unë kam garuar me një program, kam garuar me disa prioritete, nuk kam garuar për me i pasë 4-5 vetë ministra, 5-6 vetë, për me pasë këtë pozicion a atë pozicion, po kam garuar me pasë ambient më të mirë për biznesin, me pasë partneritet me aleatët tonë edhe me miqtë tanë, po edhe si partner me i trajtu. Me i rrit pagat, me i rrit pensionet e shumë prioritete të tjera”, tha Hamza.
Para nisjes së takimit, edhe Kurti u deklarua shkurt para mediave.
“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.
Ky është një nga takimet që Kurti ka iniciuar me liderët e partive parlamentare në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës.









