Me 89 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e FSK-së në Gaza.  Vendimi vjen pas kërkesës nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si rrjedhojë e zotimeve që Kosova ka marrë në kuadër të Bordit të Paqes.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do të jetë pjesë e operacioneve të realizuara nga forca ndërkombëtare.

Më 30 mars ky propozim ishte miratuar edhe në Qeverinë e Kosovës.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të realizohet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i themeluar në kuadër të nismës së quajtur Bordi i Paqes, e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me synim promovimin e paqes në botë.

Kosova bën pjesë në mesin e pesë shteteve të para, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakhstanin dhe Shqipërinë, që janë zotuar për pjesëmarrje në këtë mision, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Gaza.