Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë zhvilluar një protestë të enjten para RTK-së për shkak të mosekzekutimit të pagave. Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka njoftuar se të hënën do të hyjnë në grevë. Ai kërkoi që nga ora 11:00 deri në ora 12:00 të mos punohet asgjë.
“Deri më sot kemi dëgjuar vetëm deklarata, por asnjë veprim konkret. Prandaj, i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë Kurti që të veprojë ashtu si herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Për më tepër është e papranueshme që punëtorët e RTK-së nuk kanë marrë as njoftim nga ish-menaxhmenti”.
“Domethënë s’kemi marrë njoftim që ka me pas mungesë të pagave. RTK është pronë publike dhe e qytetarëve, e jo e partive politike. Ne do ta mbrojmë me dinjitet, unitet dhe vendosmëri. Greva do të fillojë nga e hëna në të gjithë RTK-në nga ora 11:00 e deri në ora 12:00”, tha Bimbashi.
Ai thekson se gjendja në RTK është përkeqësuar, ndërsa thotë se institucionet vazhdojnë të heshtin. “Mbi 700 familje të punonjësve të RTK-së po përballen çdo ditë me probleme për mbijetesë. Presione nga bankat, vështirësi për të paguar faturat e energjisë, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është më thjesht krizë ekonomike është krizë e identitetit”, shtoi.
Bimbashi potencoi se kjo situatë mund të zgjidhet menjëherë pa asnjë vonesë, “me një vendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti”. Të gjitha justifikimet e tjera për komisione apo procedura të tjera, ai konsideron se “janë beteja mes partish”. “Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike”, kërkoi ai.
Bimbashi theksoi se nuk po kërkojnë ndihmë, por “të drejtën tonë ligjore po kërkojmë buxhetin që na takon me ligj”. “Kjo është kërkesë për zbatim të ligjit”, deklaroi ai ndër të tjera.









