Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë zhvilluar një protestë të enjten para RTK-së për shkak të mosekzekutimit të pagave.

“Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë demokraci pa zë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”, “Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë”, janë disa nga parullat e gazetarëve të cilët janë duke kërkuar pagat e tyre.

Punëtorët e RTK-së duke protestuar

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka paralajmëruar grevë dhe përshkallëzim të protestave.

“Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufi. Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme”, ka thënë ai.

“Sot jemi këtu, jo për luks, jo për rritje pagash fatkeqësisht, por për një të drejtë themelore, për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend se të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës, apo rritje të pagave, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim”, shtoi Bimbashi.

Për këtë situatë, siç thotë ai, kanë përgjegjësi të gjithë: “Kuvendi, Qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së”.

Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat e tyre thekson se edhe mund të përshkallëzohen.