Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë përkrahje amendamentit për dyfishimin e mbështetjes financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte.
Për këtë amendament të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, votuan katër deputetë; tre ishin kundër, ndërsa dy abstenuan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se duke marrë parasysh që procesi gjyqësor në Hagë është drejt fundit, tetë milionë eurot e ndara janë të mjaftueshme.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Faton Geci, u shpreh kundër dyfishimit të mbështetjes për katërshen e UÇK-së, duke thënë se ata nuk janë themelues të shtetit.
“Ata nuk janë themelues të shtetit, siç tha deputeti Tahiri. Meqenëse procesi është në përfundim, nuk konsideroj se është e arsyeshme të vazhdohet me mbrojtjen e tyre”, theksoi Geci.
Komisioni për Buxhet nuk e miratoi amendamentin e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për buxhet shtesë për Radio Televizionin e Kosovës. Anëtarët e komisionit votuan me katër vota për, pesë kundër dhe dy abstenime.









