Një grup kriminal ndërkombëtar është goditur në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Përmes një njoftimi, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 37 kilogramë heroinë, të ndarë në 62 paketime, me vlerë tregu mbi gjysmë milioni euro.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar pesë persona, të dyshuar për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sveçla e ka cilësuar operacionin si rezultat të punës profesionale dhe angazhimit të përbashkët të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Megjithatë, siç ndodh zakonisht kur Policia shënon sukses, Sveçla është kujdesur t’i marrë meritat për këtë operacion. Ndërsa, në rastin e Arlinda Zekajt në Pejë, ku po kërkohet përgjegjësi institucionale, ai nuk e ka marrë mundin as të komentojë dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha.









