Lirim Greiçevci, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës së Thaçit, ka thënë se është për keqardhje që Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, “i cili nuk ka lidhje me LDK-në origjinale të Ibrahim Rugovës, përpiqet ta viktimizojë LDK-në e sotme, pa asnjë nevojë dhe pa asnjë dëshmi”.
Këto komente, Greiçevci i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që LDK-ja votoi kundër Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai tha se LDK do të duhej të ishte e para që e kundërshton aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së, pasi që ajo është futur aty “në mesin e kundërshtarëve të pavarësisë”.
“LDK do të duhej të ishte e para që e kundërshton aktakuzën përçarëse dhe aktgjykimin e kurdisur, ku LDK është futur pa asnjë të drejtë në mesin e “kundërshtarëve të pavarësisë”. LDK-ja e atëhershme, në krye me Presidentin Rugova, ka qenë në ballë të synimit të Kosovës për pavarësi, e assesi penguese ose kundërshtare e saj”, shkroi Greiçevci në Facebook.
LDK, theksoi ai, do të duhej të rreshtohej sot me UÇK-në dhe Kosovën, “e assesi me ata që po përpiqen ta bëjnë atë, që Serbia dhe Millosheviqi nuk mundën ta bëjnë”.
“Nuk ka asnjë vendim ose urdhër të UÇK-së, gjatë luftës, për ta ndaluar ose penguar aktivitetin e LDK-së. UÇK dhe LDK e kanë përplotësuar njëra-tjetrën. Shumë nga pjesëtarët dhe komandantët e UÇK-së kanë qenë dhe janë në LDK”.
“LDK nuk është në mesin e viktimave në aktgjykim në Hagë. Ajo është aty për ta justifikuar përndjekjen dhe për ta përçarë popullin e Kosovës”.









