Tifozët “Kuq e Zi” e kanë përkrahur “Marshin për Liri”, që do të mbahet të shtunën duke filluar nga ora 14:00, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Çlirimtarët do të kthehen në atdhe, sepse ata janë heronjtë tanë!”, kanë shkruar tifozët “Kuq e Zi” në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Ata kanë thënë se i bashkohen marshit në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare për “historinë tonë, për sakrificën e tyre dhe për vlerat mbi të cilat u ndërtua liria jonë”.

Ata i kanë ftuar shqiptarët që t’i bashkohen marshit që do mbahet në sheshin “Skënderbeu”.

“Marshi për Liri” do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, ditës kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpall vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-së.

Gjykata Speciale i akuzon ata për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.

Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.