Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dhënë përkrahje protestës që do të mbahet në Prishtinë më 5 qershor në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në Gjuhën Shqipe.

“E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai thotë se është në krah të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, “në kërkesat e tyre të drejta e legjitime”.

Protesta në Prishtinë është thirrur nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbështetje të bashkëkombësve të tyre në Maqedoni të Veriut.

Për të drejtat e tyre, studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut kanë mbajtur dy protesta në Shkup – më 6 prill dhe më 18 maj.

Mijëra studentë kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në Gjuhën Shqipe.

Ata kanë thënë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke iu referuar Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Në mbështetje të tyre, më 26 maj në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, ishte organizuar protestë nga studentët e Shqipërisë.