Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të investojnë 700 milionë dollarë në Termocentralet me qymyr. Të enjten e 4 qershorit, Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-të “po ndërmarrin një veprim historik për të ulur çmimin e energjisë elektrike dhe koston e jetesës për të gjithë amerikanët”, përmes siç u shpreh ai, “qymyrit të pastër dhe të bukur”.

“Nëse shikoni Kinën, nëse shikoni kaq shumë prej vendeve të suksesshme, ato po përdorin qymyr. Nëse shikoni disa nga vendet me dështimet më të mëdha, ato po përdorin energjinë e erës”, tha Trump.

Siç raportojnë mediat amerikane, Trump do të përdorë të ashtuquajturin Aktin e Prodhimit për Mbrojtjen, një ligj i epokës së Luftës së Ftohtë që i jep Presidentit amerikan autoritet emergjent mbi industritë vendase.

Siç shkruan “CBSnews”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpërndajnë 75 milionë dollarë për një terminal të ri eksporti të qymyrit në Oakland dhe 425 milionë dollarë për të mbështetur 13 centrale ekzistuese në 10 shtete: West Virginia, Kentucky, North Carolina, Indiana, Tennessee, Arkansas, Arizona, Oklahoma, North Dakota dhe Wisconsin.

“Veprimi ynë do t’u lejojë këtyre objekteve të investojnë në përmirësime që do të zgjasin jetën e tyre operacionale për dekada në të ardhmen, do të forcojnë besueshmërinë e rrjetit tonë elektrik, i cili është në të vërtetë përfituesi më i madh, dhe më e rëndësishmja, do t’i mbajnë çmimet e energjisë elektrike shumë të ulëta për popullin amerikan”, tha Trump.

Administrata Trump do të shpërndajë gjithashtu 200 milionë dollarë grante nga Departamenti i Energjisë për të ndërtuar dy termocentrale të reja me qymyr në Alaska dhe West Virginia dhe për të rifilluar punën e një termocentrali me qymyr në Maryland.

Objektet në Alaska dhe West Virginia do të jenë termocentralet e para të reja me qymyr të ndërtuara në SHBA që nga viti 2013.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CBS News se investimi do t’u kursejë konsumatorëve 50 miliardë dollarë.