Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka ftuar shqiptarët që të bashkohen më 1 tetor, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në protestën që do të mbahet kundër vendimit skandaloz të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nesër, në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, ora 16:00, të bashkohemi të gjithë në një protestë paqësore dhe dinjitoze, për të kërkuar drejtësi të mbështetur në fakte dhe prova, e jo në dëshmi të fabrikuara në Beograd e në Moskë”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Historia, thekson ai, nuk mund të gjykohet. “Ajo duhet të dëshmohet me të vërtetën”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga vlerat më sublime të shqiptarëve në historinë tonë më të re. Ajo është pjesë e sakrificës, lirisë dhe dinjitetit të një populli. Obligim kombëtar i secilit prej nesh është ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë këtë vlerë, si sytë e ballit”.

Prandaj, ai thotë se të enjten “të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Për drejtësi. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për lirinë”.

“Të bashkuar, paqësisht dhe dinjitetshëm!”.

Protesta e së enjtes është thirrur nga Platforma “Liria ka Emër”.

Që nga 16 shtatori, dita kur u shpall aktgjykimi i Speciales ndaj krerëve të UÇK-së, qytetarët janë duke protestuar vazhdimisht.