Ish-Presidentja, Vjosa Osmani, ka hedhur akuza në drejtim të Vetëvendosjes se “ka pasur tendenca për pengesa për Marrëveshjen për Bordin e Paqes”. Këto komente, ajo i bëri duke iu referuar tentimeve të deputetëve të VV-së, që në Komisionet Parlamentare të ndryshojnë Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Këto veprime të deputetëve të VV-së, ajo i quajti “qesharake” dhe “padituri që s’ka parë ndonjëherë”.
“Ka pasur edhe tendenca për pengesa për Marrëveshjen për Bordin e Paqes siç e dini. Të natyrës që donin në Kuvend ta ndryshonin edhe vetë tekstin e Marrëveshjes e cila lëre që është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare por në të njëjtën kohë është qesharake dhe padituri e përmasave që unë nuk kam parë e lexuar”, tha Osmani.
Ajo rrëfeu edhe fjalë të dëgjuara nga deputetë të GUXO-s brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Citoi, se “Qeveria ishte kundër pjesëmarrjes së saj në Bordin e Paqes”.
“Unë jam informuar nga deputetë të Guxo-s që ata kanë dëgjuar që në Grup Parlamentar që ka qenë gabim i madh. Është thënë nga ana e Qeverisë që ka qenë gabim i madh që Vjosa Osmani është ulur në atë tryezë me Presidentin Trump. Sepse sipas tyre qenka dashur që ne të jemi jashtë radarit të SHBA-ve”, tha ish-Presidentja.









