Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës dhe kryenegociator në dialogun me Serbinë, e ka njoftuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për bllokimin e qëllimshëm që shteti serb po ua bën fondeve të Kosovës që janë të destinuara për Luginën e Preshevës.

“Sot kam njoftuar Peter Sorensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai theksoi se 3 mijë e 650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35 mijë e 448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatorë”, bëri me dije Bislimi.

Zëvendëskryeministri konsideron se ky nuk është një gabim teknik. “Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë”, shtoi.

E njëjta qasje ai theksoi se është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, “pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht”.

“Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ”, pohon.

Bislimi potencoi se institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Ndryshe, shqiptarët që jetojnë në Serbi përbëjnë komunitetin më të shtypur në rajon dhe jo vetëm. Atyre u mohohen të drejtat elementare. Madje, nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga problemet që është ngritur në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Evropian është pasivizimi i adresave që Serbia është duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht atyre në Medvegjë.