Publicisti, Blerim Shala, në emisionin VOX Data, me gazetarin Lirim Mehmetaj, ka rrëfyer ngjarjet e marsit 1999, se si në kohë lufteishte detyruar ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, të shkonte në Beograd e të takohej me kriminelin, Sllobodan Millosheviç. Ai, ka treguar se ngjarja niste disa ditë më herët, më 19 mars, kur Rugova ishte marrë peng në shtëpinë e tij nga forcat serbe.

“Ne jemi takuar, delegacioni, më 19 mars të vitit ’99, pra në Paris kur përfundoi Konferenca me temën: A të kthehemi në Kosovë a jo? Sepse na thoshin diplomatët, amerikanë, gjermanë…Gjermanët. Veçmas. Christian Pauls ka qenë Drejtor Politik. Ai thoshte kanë me ju vra. Jo që kanë  me ju shti në burg…Po…po. Ideja, plani i Serbisë është me ju shfaros të gjithëve edhe mos u ktheni. Domethënë na luteshin. Mos gaboni me u kthy”, rrëfen fillimisht Shala.

“Po ne kur u takuam në atë sallën e përbashkët ishte njëfarë përgjegjësie  e madhe morale. Si mos të kthehemi tash? Ne e bëmë një marrëveshje, po e braktisë popullin. Sepse kishim edhe ofertë nga zonja Albright, nga Madeleine Albright të shkonim në Washington gjashtë a shtatë anëtarë të delegacionit tonë”, tregon ai.

“Edhe tash ne u ulëm edhe thamë mos me shku është marre. Normalisht pjesa e UÇK-së duhej të ateronte se ishim me aeroplan ushtarak…Në Shqipëri. Edhe ne tjerët thamë po turp është, marre qysh mos me shku ne në Kosovë? Ne patjetër duhet të shkojmë në Kosovë”, rrëfen Shala.

“Po ishte politikisht mendim i gabuar për bindjen time”, shton.

“Nuk është e thënë që të rrinim të gjithë jashtë. Kemi mundur të kthehemi nja pesë a gjashtë. Nja pesë a gjashtë në krye me Ibrahim Rugovën si President…Se Presidenti me t’u zënë rob qysh është zënë Ibrahim Rugova, me t’u zënë peng është gjëja faktikisht më poshtëruese që i ndodh një populli”, rrëfen.

Pas kthimit, Rugova kishte hyrë në shtëpinë e tij, ku ishte marrë peng nga forcat serbe. Ky episod, sipas Shalës tregon se Rugova ishte marrë me forcë për t’u takuar me Millosheviçin.

“Po ne vendosëm të ktheheshim. Dhe Rugova hyri në shtëpinë e tij në rezidencë dhe aty u zu rob prej forcave serbe dhe pastaj krejt ajo krajatë e tij..Me familje. Renata Flottau po ashtu ka qenë… Unë jam taku aty. Jam taku një ditë para se me hy policia te Rugova. Rob ka qenë. Edhe unë kam pasë  konferencë për shtyp  në NATO  në prillin e vitit ’99  dhe kemi pasë takim me Wesley Clark bashkë me miq të mi, Shkëlzen Maliqi ka qenë aty.  Gjithashtu Baton Haxhiu nëse s’gaboj edhe disa të tjerë”.

“Edhe më thanë dil në konferencë për shtyp. Dola në konferencë për shtyp edhe pyetja mbizotëruese ishte: Çka po mendoni për Ibrahim Rugovën dhe pse kështu?”.

“Dhe u pata thënë: Nuk mundesh me pritë liri të shprehjes te njeriu që është në burg”, rrëfen Shala.

“Kështu që në instancë të fundit mendoj që ai episod  ka qenë tepër e rëndë për të. Tepër e rëndë për të gjithë ne sepse  pati edhe spekulime  të llojllojshme. Ka shku në Beograd, tash do të ndalen bombardimet e çka po di unë. Nuk ndodhi ashtu. Ndodhi më e mira”, thotë ai.