Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se partia që ai përfaqëson nuk do ta votojë Glauk Konjufcën për Kryeministër, derisa ka theksuar se askush, madje as vetë Konjufca nuk e beson se ai do të jetë kryeministër e Albin Kurti zëvendës i tij.
“Sot jemi thirrur në një seancë në thelb është e pakuptimtë, sepse rezultatet i dimë pothuajse të gjithë. Nuk ka njeri, as në Lëvizjen Vetëvendosje e askund në Kosovë e fatkeqësisht as vet kandidati Konjufca që beson se mund të jetë kryeministër i vërtetë, e Kurti zëvendës i tij”, tha Ismaili në seancën e Kuvendit.
Kjo seancë, Ismaili konsideroi se “është farsë, është i njëjti mentalitet që bllokohej Kuvendi me emrin e Albulena Haxhiut gjersa Kosovës i shtoheshin problemet, thelloheshin problemet e familjeve në Kosovë”.
“Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues dhe arkitekt i këtij mentaliteti bllokues është vet Kurti. Është dëshpëruese me pa Kuvendin e Kosovës me këtë mentalitet bllokues qe 10 muaj”, potencoi ai ndër të tjera.








