Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për takim lidhur me krijimin e institucioneve të reja të vendit. I pari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se “PDK do të ketë qasje konstruktive” dhe se është e gatshme për takim me Kurtin gjatë së premtes(10 korrik).

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme. Në mënyrë institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se me folë për pozitat është tepër e rëndësishme prioritetet. Vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova”, tha Hamza para mediave, duke shtuar se takimi duhet të zhvillohet në ambientet e Kuvendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për të diskutuar procesin e formimit të institucioneve të reja.