Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka njoftuar se do të garojë për kryetar të Komunës së Drenasit. Ai i ka bërë thirrje kryetarit të partisë, Memli Krasniqi që ta konfirmojë kandidimin e tij. Me këtë veprim, Hajdari sfidon Ramiz Lladrovcin – figurën që tradicionalisht është përzgjedhur nga qendra si kandidat i partisë për të parin e këtij qyteti, i cili edhe këtë vit është nominuar nga dega e partisë.
Drenasi është bastion i padiskutueshëm i PDK-së. Por, çarjet e brendshme kanë bërë që në disa raste në këtë komunë të ketë balotazh. Kështu kishte ndodhur edhe më 2021. Driton Ajazi, me listën e tij “Demokratët për Drenasin” i kishte hyrë garës për kryetar komune. Ai kishte arritur që ta çojë në balotazh Lladrovcin, por që në raundin e dytë kishte humbur.
Ndryshe nga Ajazi është duke vepruar Hajdari. Ai po kërkon mbështetjen e partisë që të jetë kandidat dhe – të paktën deri më tani – nuk ka dalur si kandidat i pavarur apo të krijojë ndonjë listë të veçantë zgjedhore.
“Me dashamirësi ndaj projektit tonë të përbashkët, i bëj thirrje përulësisht e me respekt të thellë kryesisë dhe kryetarit të PDK-së që ta konfirmojnë kandidimin tim”, shkroi ai në Facebook.









