Partia Demokratike e Kosovës është larguar nga salla e Kuvendit pasi propozimi për një rezolutë që adreson ekspozitën famëkeqe të Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, dështoi të trajtohet si pikë e parë në rend të ditës.
“Kemi një sfidë edhe më të thell dhe më të rrezikshme përpjekjen për ë shtrembëruar historinë tonë. Kujtesa nuk është vetëm e kaluar, kujtesa është identitet, është themeli mbi të cilën ne qëndrojmë si histori”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Pas propozimit të Çitakut, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në emër të Grupit Parlamentar se në parim janë pro një rezolute të tillë dhe se janë të gatshëm të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në një grup punues për rezolutën para se ajo të votohet, sipas tyre, si “pikë e fundit e rendit të ditës”.
Jehona Lushaku Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një qëndrim përafërsisht të njëjtë me VV-në, duke thënë se për ta rënditja në rend të ditës nuk është problem dhe se janë të gatshëm të asistojnë në plotësimin e rezolutës.
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që kjo çështje të mos ndërlikohet dhe të votohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Pas debatit për renditje në rend të ditës, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbledhur kryetarët e Grupeve Parlamentare për diskutim, i cili dështoi.
Pas diskutimeve, Çitaku ka deklaruar se nëse rezoluta nuk kalon si pikë e parë, grupi i saj e tërheq propozimin dhe largohet nga Kuvendi. Kështu, duke parë siç tha ajo “mungesën e vullnetit politik”, PDK u largua nga Salla Plenare, ku po vazhdojnë diskutimet për marrëveshjet ndërkombëtare.









