Në një moment krejtësisht sureal dhe të pabesueshëm për ata që s’e kanë parë vetë tek ndodhë, Vetëvendosja e ka propozuar e PDK-ja e ka votuar bashkë me Vetëvendosjen Dimal Bashkën për Kryetar të Kuvendit.
Dimal Basha, kjo anekdotë politike, kjo maskotë e absurdit në politikën kosovare, ka zënë postin qendror në institucionet e Kosovës nga një kalkulim lrektësisht banal politik.
PDK-ja, parti e formuar nga ajo që njihet si krahu i luftës, partia që me kryeministrin e zgjedhur nga radhët e saj shpalli pavarësinë e Kosovës, loboi e siguroi për mbi 100 njohje dhe u angazhua në anëtarësimin e Kosovës në mbi 100 organizata ndërkombëtare, e votoi Dimalin.
Njeriun që pasi pati propozuar të qiten nënat në livadhe për të luajtur, dha edhe komente të tipit “ku jeni o p…” në Facebook.
Ata me vetëdëshirë apo të shtrënguar nga kushedi çka, morën pjesë në turpin më të madh publik që është parë prejse Kosova ka institucione. Ky është veprim që legjitimon dhe arsyeton epitetin që ua jepte Albin Kurti, kur i quante në fushatë.
PDK-ja sot nuk ngjan në parti, aq më pak serioze.
Një grup me strukturë të rrënuar, e dominuar nga zëra krejtësisht të paqartë, pa qëndrime politike e me lëvizje krejtësisht të çakorduara, të cilat nuk vijën nga kurrfarë strategjizimi paraprak, por janë veprime të budallakut momental.
Duke operuar pa kurrfarë busulle ideologjike, pa strukturim të interesave të qarta dhe me një udhëheqësi që politiken e bën me orar.
Një parti me pak dinjitet të mbetur, do të thërriste urgjentisht sot Këshillin e partisë me tri pika: shkarkimin e kryetarit, kërkim faljen publike dhe premtimin për rikuperim në të ardhmen.
Por, me gjasë kjo nuk do të ndodhë. Sepse PDK-ja sot nuk udhëhiqet, ajo funksion me rrëshqitje të lirë.
Një parti që del në zgjedhje dhe i kërkon votë njeriut për ndryshim e më pas ia voton Dimal Bashën Kryetar Kuvendi, jo që s’bëhet dot kurrë qeveri, por vështirë se do të qëndrojë në politikë, sepse roli i patericës së Albin Kurtit nuk mban edhe për shumë gjatë.








