Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë me dije se aktivitetin politik PDK-ja më nuk do ta kufizojnë vetëm në Kuvend, derisa ka paralajmëruar do të bëjnë sërish kërkesë për thirrjen e seancës konstituive pas 48 orësh.
“Dua që të ju njoftoj që ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh. Dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më vetëm brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë kuvendit në forma më të gjëra të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha Çitaku në një konferencë për media të mërkurën.
Të martën, PDK-ja i dërgoi letër kryesuesit të seancës konstituive, deputetit më të vjetër, që është nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, që të mbajë seancën konstituive të mërkurën, që kështu ta respektojë afatin 48 orësh.
Por, Dehari refuzoi që ta ndërmarrë një hap të tillë, duke përsëritur refrenin e shefit të tij, Albin Kurti.
Megjithatë, PDK-ja shkoi në seancë e vetme. Por, aty pati dhe mërgimtarë, derisa shkuan edhe deputetët e VV-së.
U shënuan disa incidente mes deputetëve të dy partive, madje edhe fizike. Në një moment, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi i VV-së dhe Mërgim Lushtaku i PDK-së u shtynë në hyrje të sallës së Kuvendit.
Në disa raste, ndërhynë edhe pjesëtarë të sigurisë së mbrojtjes së afërt. Sipas Çitakut, ata kanë cenuar integritetin fizik të deputetëve të PDK-së, prandaj theksoi se do t’i drejtohen Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
“Ata cenuan edhe integritetin fizik të disave prej deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe për këtë çështje, ne do të ndërmarrim masa në Inspektoratin Policor të Republikës së Kosovës”, deklaroi Çitaku ndër të tjera.









