Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se menjëherë pas njoftimit nga komisionerët në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, ka  ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.

“Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, shkroi Krasniqi në Facebook.

“Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”, shtoi.

Sipas tij, vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë.