Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur me llafe të të tjerëve për çështjen e blerjes së rrymës nga EFT-ja e Vuk Hamoviç-it. Ka cituar vartësit e tij, që ditë më parë folën për këtë temë. Kurti ka thënë se nuk blihet rrymë nga kompania e Hamoviç-it, dhe si kryeministër, që shpesh ka informata për gjëra komplet të pa rëndësishme, ka thënë se nuk di asgjë për kompaninë “NOA Energy Trade” që fiton qindra miliona euro me tregtim të rrymës në Kosovë dhe nuk ka madje as adresë zyrtare.
“EFT-ja nuk fiton fare në Kosovë. Vuk Hamoviç-i nuk fiton në Kosovë. Nëse këtu ka diçka minore që është bërë me një kompani nga Shqipëria, le të kërkohet atje përgjigja”, ka thënë Kurti, në një intervistë për Kanal 10.
“E kanë sqaruar gjerë e gjatë edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, edhe deputeti ynë Armend Muja, e kanë shpjeguar shumë qartë se s’ka asgjë aty të bëjë me të vërtetën. Mandej, kur e kanë pa që në fakt tabelat, shifrat flasin që ato janë insinuata dhe dezinformata kanë filluar të thonë po jo këtë e ka bërë me një kompani nga Shqipëria – NOA”.
“Unë fare nuk e di kush është kjo kompani. Por, edhe për këtë mund të kërkohet përgjigja duke bërë pyetje në Tiranë. Çfarë kam të bëj unë me atë kompani?”.
I pyetur se a janë faktorë akterët e njëjtë të rajonit të cilët ai i kishte quajtur mafie energjetike, specifikisht për Hamoviç-in, Kurti pretendoi se në Kosovë më nuk është.
“Jo në Kosovë. Gjetiu po. Në Republikën serbe, në Serbi po. Në Kosovë kjo ka marrë fund”, potencoi.









