“Në emër të popullit serb dhe me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që e bëjnë shumicën e deputetëve serbë, e propozojmë Slavko Simiç-in për nënkryetar”.
Kështu u shpreh Igor Simiç nga Lista Serbe kur e propozoi për nënkryetar Slavko Simiç-in.
Ky propozim i tij, duke u deklaruar “në emër të popullit serb”, ka bërë që Vetëvendosje të kërkojë të pauzohet seanca në pikën e zgjedhjes së nënkryetarëve.
Të menjëhershëm kanë qenë deputetët e Vetëvendosjes që kanë folur për këtë mënyrë prezantimi.
“Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, ka shkruar Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes.
Vigan Qorrolli ka përdorur Kushtetutën, duke thënë se ajo nuk njeh kategori institucionale si “populli serb”.
“Ajo njeh komunitetet që u përkasin komuniteteve joshumicë, ndërsa përfaqësimi i tyre institucional ndërtohet mbi të drejta të komuniteteve dhe jo mbi pretendimin për një mandat ekskluziv në emër të një “populli”. Prandaj, askush nuk mund ta shndërrojë një kategori kushtetuese – komunitetin joshumicë serb – në një kategori tjetër që Kushtetuta nuk e njeh, “popullin serb”, dhe pastaj të ndërtojë mbi këtë pretendim një të drejtë ekskluzive për një pozitë kushtetuese. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit”, ka shkruar ai.
I ashpër ka qenë Ilir Kërçeli, që i ka bërë thirrje prokurorisë që të merret me deklaratën e Simiqit.
“Nuk ka votë për Simiqin. Për të ka vetëm thirrje për Prokurorinë, lidhur me deklaratën e bërë gjatë propozimit të tij”, ka shkruar ai.
Albulena Haxhiu u votua si Kryetare e Kuvendit me 62 vota pro.









