Hallka e vetme e paprekur nga pushteti i Albin Kurtit, Prokuroria Speciale, duket se nuk do të mbetet e tillë.

Kryeprokurorin e saj, Blerim Isufaj, e shkarkoi Këshilli Prokurorial me një arsyetim banal.

Kinse Prokuroria Speciale kishte efikasitetin më të dobët ndër prokuroritë në vend.

Kjo nuk është e vërtetë.

Ai u shkarkua sepse Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj ministres së Albin Kurtit, Rozeta Hajdarit, pasi ajo me kolegë i shkaktoi dëm shtetit të Kosovës mbi tre milionë euro.

Ai ngriti aktakuzë edhe për militantin, Nagip Krasniqi, që në cilësinë e Kryeshefit të KEK-ut dyshohet se i shkaktoi dëm vendit hiç më pak se 37 milionë euro.

Për aktakuzën ndaj kryeshefit të “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, pasi i shkaktoi dëme buxhetit afërsisht 200 mijë euro.

Apo që ia zbuloi se kryeshefja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, ishte përfshirë në skandalet më lart.

Apo për aktakuzën e ngritur të mërkurën për dëmin mbi 15 milionë euro që ia ka shkaktuar shtetit zyrtari i Ministrisë së Liburn Aliut.

Dhe “urrejtja” ndaj tij nuk ishte e fshehur.

Ky pushtet e tha publikisht.

“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”, kishte deklaruar Albin Kurti për kandidaturën e Blerim Isufaj për Kryeprokuror.

Por është pikërisht ky institucion që ka zbardhur krimet më delikate dhe më të ashpra që kanë ndodhur mbi Republikën.

Dhe kur Këshilli Prokurorial thotë se performuan dobët.

A e kanë fjalën për aktakuzën voluminoze të sulmit terrorist të Banjskës, apo atë tjetrën në bashkëpunim me FBI-në për sulmin terrorist mbi Kanalin e Ibër-Lepencit, apo mos vallë i pengon aktakuza historike për sulmin në Lagjen e Jasharëve në Prekaz të ’98-tës, e ngritur pikërisht nga Prokuroria e Blerim Isufajt, apo që gjetën mbetje mortore në Zubin Potok nga lufta e fundit në Kosovë.

Dhe a e dini kë e kanë zgjedhur ushtrues detyre të pozitës së tij?

Dren Pacën. Prokurorin i cili për më shumë se dy vite kishte në sirtarë dosjen e telefonit të Faruk Mujkës, komunikimet e tij në WhatsApp me Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun dhe Artane Rizvanollin.

Aty vërtetoheshin punësimet e militantëve të VV-së në Ibër-Lepenc e Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe ky prokuror nuk mori asnjë veprim.

Por meqë edhe ky institucion u kap, atëherë përhajr i koftë shteti Albin Kurtit.