Raportit i Organizatës “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), ku u konstatuan shkeljet e Gjykatës Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është duke u prezantuar në një konferencë në Hagë të Holandës, pikërisht ku e ka selinë Specialja.
Prezantimi i raportit po bëhet nga Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, që janë hulumtues të raportit të BHRC-së. Prezent në këtë konferencë janë diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Hagë.
Një nga kritikat kryesore të avokatëve britanikë është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili, sipas raportit, rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë e armëve mes palëve.
Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.
“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, theksohet në raportin që ka mbi 90 faqe.
Ndër të tjera, në raport përmendet edhe pranimi i provave nga Serbia, derisa ngritën shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të akuzuarve – krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerëve.
Aty theksohet po ashtu se “në rrezik është liria e individëve”, duke përmendur edhe faktin se viktimat që kanë pritur drejtësi tash e sa kohë nuk kanë interes vetëm për drejtësinë që jepet, por edhe si bëhet ajo.
Pas raportit të avokatëve britanikë, Specialja bëri një sërë përpjekjesh publike për të sqaruar gjetjet e tij.
Gjykata u dërgoi edhe e-mail ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian të akredituara në Hagë, lidhur me këtë raport.









