Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar raportin preliminar me listën e personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për periudhën nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës, duke theksuar se raporti do të përditësohet me të dhëna të reja.
Sipas tij, raporti dokumenton edhe pasojat tragjike te fëmijët. Në grupmoshën 0–17 vjeç janë evidentuar 1.047 fëmijë të vrarë, 94 të vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.
Kurti tha se rreth 81.3 për qind e të gjitha viktimave të dokumentuara, përkatësisht 9.948 persona, janë vrarë gjatë periudhës mars–qershor 1999, duke e cilësuar atë si fazën më të rëndë të luftës.
Ndërkaq, drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, bëri të ditur se lista preliminare përfshin gjithsej 13.227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës.
Sipas tij, 12.230 persona janë vrarë gjatë periudhës së luftës, nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999, ndërsa 997 persona janë vrarë në periudhën e pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Hetemi theksoi se lista është hartuar pas një procesi të verifikimit dhe validimit të të dhënave, ndërsa mbi 267 raste të evidentuara në lista të mëhershme nuk janë përfshirë, pasi nuk i plotësojnë kriteret metodologjike të përcaktuara nga Instituti.









