Çmimet globale të naftës po rriten derisa Irani vazhdon të kryejë sulme në pothuajse të gjithë Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

BBC shkruan se nafta Brent, standardi global i çmimeve të naftës, u rrit me 10 për qind, duke kapur mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tre anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Çmimet e gazit natyror u rritën gjithashtu deri në 25 për qind.

Irani paralajmëroi anijet që të mos kalojnë përmes kësaj rruge ujore kyçe në jug të vendit, përmes së cilës transportohet rreth 20 për qind e naftës dhe gazit botëror.

Indeksi kryesor i bursës në Mbretërinë e Bashkuar, FTSE 100, i cili përfshin 100 kompanitë më të mëdha të listuara në Londër, shënoi rënie prej rreth 1 për qind, pas mbylljes së hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme.

Tregjet kryesore evropiane shënuan rënie edhe më të thella.

CAC 40 – indeksi kryesor i bursës në Francë: përfshin 40 kompanitë më të mëdha të listuara në Paris dhe tregon mesataren e performancës së aksioneve të tyre, ra me 1.6 për qind.

DAX – indeksi kryesor i bursës në Gjermani: përfshin 40 kompanitë më të mëdha të listuara në Frankfurt dhe tregon mesataren e performancës së aksioneve të tyre, u ul me 1.7 për qind.

Ndërkohë, çmimi i arit, që konsiderohet aset i sigurt në periudha pasigurie, u rrit me 2.3 për qind, duke arritur në 5,395.99 dollarë për ons.

Transporti ndërkombëtar detar pothuajse është ndalur në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa analistët paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur mund t’i çojë çmimet e energjisë edhe më lart.

Qendra e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se dy anije ishin goditur, ndërsa një “predhë e panjohur” raportohet se “shpërtheu shumë pranë” një të trete.

Pas rritjes fillestare, nafta Brent ra në 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA u rrit me rreth 7.6 për qind, në 72.20 dollarë.

“Tregu nuk është në panik”, tha për BBC Saul Kavonic, drejtues i kërkimeve për energjinë në MST Marquee. “Ka më shumë qartësi se deri tani infrastruktura e transportit dhe prodhimit të naftës nuk ka qenë objektiv kryesor nga asnjëra palë”, shtoi ai.

“Tregu do të vëzhgojë nëse trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit rikthehet, çka do të sillte ulje të çmimeve të naftës”.

Megjithatë, disa analistë kanë paralajmëruar se çmimi mund të kalojë 100 dollarë në rast të një konflikti të zgjatur, me pasoja zinxhir për inflacionin dhe normat e interesit.

Robin Mills, drejtor ekzekutiv i konsulencës Qamar Energy me bazë në Dubai dhe ish-drejtues në kompaninë Shell, tha: “Rritja e çmimeve do të reflektohet pothuajse menjëherë, sepse tregtarët e naftës po ndjekin nga afër zhvillimet. Aktualisht, çmimet e naftës nuk janë veçanërisht të larta; ato janë ende më të ulëta se dy vite më parë, kështu që nuk jemi ende në një krizë të plotë të naftës”.

Të dielën, grupi OPEC+ i vendeve prodhuese të naftës ra dakord të rrisë prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë për të zbutur rritjen e çmimeve, por disa ekspertë dyshojnë se kjo do të ketë ndikim të madh.

Edmund King, president i AA-së, paralajmëroi se ndërprerjet mund të çojnë në rritje të çmimeve të karburanteve në mbarë botën.

“Trazirat dhe bombardimet në Lindjen e Mesme do të jenë patjetër katalizator për ndërprerje të shpërndarjes globale të naftës, gjë që do të çojë në rritje çmimesh”, tha ai. “Madhësia dhe kohëzgjatja e rritjes së çmimeve në pompë varet nga sa do të zgjasë konflikti”.

Subitha Subramaniam, kryeekonomiste dhe drejtuese e strategjisë së investimeve në Sarasin & Partners, tha se nëse çmimet e naftës mbeten të larta për një periudhë të gjatë “kjo do të përhapet në çmime të tjera si ushqimet, produktet bujqësore dhe mallrat industriale, duke ushqyer më tej inflacionin”.

Ritmi i inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar është ngadalësuar, çka ka çuar Bankën e Anglisë në uljen e normave të interesit, shkruan tutje BBC.

Subramaniam sugjeroi se Banka mund të vendosë t’i mbajë normat e interesit të pandryshuara në 3.75 për qind për momentin, pavarësisht sinjaleve të fundit për ulje të mëtejshme.

Të dielën, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se tre cisterna nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja ishin “goditur me raketa dhe po digjen”. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja nuk kanë komentuar.

UKMTO tha se “incidente të shumta sigurie” janë raportuar në Gjirin Arabik dhe në Gjirin e Omanit, duke këshilluar anijet të “kalojnë me kujdes”.

Sipas platformës së monitorimit të anijeve Kpler, të paktën 150 cisterna kanë hedhur spirancë në ujërat e hapura të Gjirit, përtej Ngushticës së Hormuzit, megjithëse disa anije iraniane dhe kineze kanë kaluar sot.

“Për shkak të kërcënimeve të Iranit, ngushtica është praktikisht e mbyllur”, tha për BBC Neës Homayoun Falakshahi nga Kpler.

“Anijet kanë marrë masë paraprake për të mos hyrë, sepse rreziqet janë shumë të larta dhe kostot e sigurimit janë rritur ndjeshëm”.

Ai tha se SHBA-ja ka të ngjarë të përpiqet të mbrojë rrugët detare, gjë që nëse është efektive do të parandalonte një shpërthim të çmimeve të naftës, por nëse ngushtica mbetet e mbyllur për një kohë të gjatë, çmimet mund të rriten “shumë, shumë më lart”.

Grupi danez i transportit detar me kontejnerë Maersk njoftoi të dielën se do të pezullojë lundrimet përmes Ngushticës Bab el-Mandeb dhe Kanalit të Suezit, duke devijuar anijet rreth Kepit të Shpresës së Mirë.