Le Monde Diplomatique ka tërhequr një postim në Instagram për vendimin dënues të Gjykatës Speciale në shkallë të parë të Hashim Thaçit dhe krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i ka kërkuar ndjesë Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lionit, pasi kjo e fundit iu ankua Këshillit të Deontologjisë Gazetareske dhe të Ndërmjetësimit (CDJM) në Francë për pasaktësi në një hartë dhe në tekstin që e shoqëronte.
Postimi, i publikuar më 21 shtator 2026 në llogarinë e Le Monde Diplomatique në Instagram, i referohej një artikulli të po këtij mediumi të 18 shtatorit mbi dënimin e Thaçit. Ai shoqërohej nga një hartë e Kosovës me vendbanimet me shumicë serbe, si dhe nga një tekst që thoshte se harta “tregon përmasën politike të këtyre krimeve”.
Më 21 shtator, studenti Jon Bislimi, i parashtroi CDJM-së një ankesë për mosrespektim të saktësisë dhe të vërtetësisë. Ai ngre dy kundërshtime kryesore.
Në ankesë ai thotë se “ky dokument e mashtron publikun përmes një manipulimi anakronik dhe kontekstual: harta vizuale vendos ndarjen komunale të sotme të Kosovës (që ilustron zonat me shumicë serbe, disa prej të cilave janë krijuar gjatë decentralizimit të viteve 2000) mbi periudhën e konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999”.
“Në këtë mënyrë, ajo shtrembëron realitetin gjeografik dhe demografik të kohës së ngjarjeve. Harta vendos në mënyrë të dukshme ‘manastire ortodokse’, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me pikat e aktakuzës së gjyqit në fjalë”.
“Duke vendosur vizualisht pranë njëra-tjetrës këto ndërtesa fetare dhe këto enklava etnike të sotme me një tekst që pohon se UÇK-ja synonte të “nënshtronte popullsitë e konsideruara si të padëshirueshme”, dokumenti fabrikon artificialisht një lexim etno-fetar sistematik të krimeve. Kjo paraqitje vizuale mbështet një tezë politike që drejtësia ndërkombëtare e ka hedhur poshtë pikërisht duke i shpallur të pafajshëm të akuzuarit për akuzat e krimeve kundër njerëzimit”, thuhet në ankesë.
Pas kësaj, CDJM-ja i kërkoi më 28 shtator llogari Drejtorit të Redaksisë, Benoît Bréville, dhe Përgjegjëses për Komunikimin Digjital, Julie Maury. Ata u përgjigjën më 9 tetor dhe pranuan gabime në tekstin e postimit.
“Publikimi ynë në Instagram i 21 shtatorit ndiqte këndvështrimin e artikullit të 18 shtatorit: të nënvizonte tolerancën e tepruar të kryeqyteteve perëndimore ndaj Hashim Thaçit. E shoqëruam me një hartë të publikuar në vitin 2023 për të paraqitur vendndodhjen e pakicave në Kosovë. Aktualisht, postimi sqaron në një shënim në fund (post scriptum) se kjo hartë daton nga viti 2023 dhe jo nga viti 1999. Megjithatë, fjalia ‘harta tregon përmasën politike të këtyre krimeve’ i atribuon asaj një funksion që ajo nuk mund ta përmbushë: shpërndarja e pakicave dhe vendndodhja e manastireve që ajo paraqet nuk lejojnë të përcaktohen objektivat e krimeve të gjykuara”, thuhet në përgjigjen e Le Monde Diplomatique.
Ata theksojnë se pas gabimeve kanë vendosur ta heqin postimin.
“Shprehja ‘të nënshtronte popullsitë e konsideruara si të padëshirueshme’ çon në përgjithësimin abuziv mbi popullsi të tëra të shënjestrimit të personave të konsideruar si kundërshtarë të UÇK-së. Prandaj, vendosëm ta tërheqim këtë postim në Instagram dhe i kërkojmë ndjesë shoqatës ankuese për këtë publikim të cenuar nga gabime, të cilat do të përpiqemi që në të ardhmen të mos i përsërisim”, përfundon përgjigja.









