“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbeten thelbësore për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Reagimin e saj, Kallas e ka bërë në platformën X, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ku kërkoi kompromis për formimin e shpejtë të Qeverisë.

“Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, tha ajo.

Ajo potencoi se zgjedhjet “demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë kanë hapur rrugën për të lënë pas më shumë se një vit bllokadë politike”.

Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.

E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.