Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka uruar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj.

“Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar!”, shkroi ai në Facebook.

Ahmeti i ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin, siç thotë ai, dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike.

“U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës”.

Si dikush që ka dhënë kontribut, thekson ai, për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiron që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. “Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë”, pohoi ai.

“Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar, ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët!”, përfundoi ai.

Me 99.65 për qind të votave të numëruara, VV-ja ka fituar zgjedhjet parlamentare me 49.30 për qind. E dyta renditet PDK-ja me 21 për qind, e treta LDK-ja me 13.57 për qind dhe e katërta AAK-ja me 6.68 për qind.