Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar Gjykatën Speciale si një “padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike”.

Ai ka thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë pengje të një padrejtësie. “Një padrejtësie në Evropën e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor”.

“Nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike me bekimin e shteteve të Evropës dhe SHBA-ve dhe me fondet e taksapaguesve evropianë e amerikanë bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi”, ka thënë ai në podcast-in e tij “Flasim”.

Ish-krerët e UÇK-së, thekson ai, se gjenden në një situatë ku padrejtësia nuk po u bëhet thjesht disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por “po i bëhet vetë atij popullit evropian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve çliroi edhe Evropën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë”.

“Le të lutemi”, thotë Rama, që Viti i Ri të sjellë dhe “fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Republikës së Kosovës përveçse të disa individëve të pafajshëm”.

Rama ka folur edhe për takimin me Hashim Thaçin, në Hagë, të cilin tregoi se e gjeti “në formë të qetë dhe të buzëqeshur, si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij”.

“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandatin e luftës çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë, vëllain tim matanë bjeshkëve ishte një moment shënjues i javës që shkoi”.

Thaçi, sipas tij, “u rrëmbye pa gjyq, pa akuzë nga Zyra e Presidentit të Republikës ku e kishte çuar populli i Kosovës me vullnetin e vet të lirë”.

“U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg dhe për të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh dhe dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, shtoi Rama.