Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se nga rreth 11 mijë zyrtarë publikë që e kanë deklaruar pasurinë gjatë këtij viti, 62 prej tyre janë gjobitur për vonesa dhe se kanë dërguar shtatë kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për shkak të mospërputhjeve gjatë verifikimit të deklarimeve të pasurisë.

“Gjatë procesit të deklarimit të pasurisë për këtë vit ne kemi pranuar një numër rreth 11 mijë deklarime të pasurisë që ka qenë numër rekord në vitet e fundit…”, tha ai për Ekonomia Online.

“Nga ata që e kanë pasur mundësinë objektivisht por kanë dështuar në kryerjen e këtij obligimi, ne kemi përgatitur një numër të madh të gjobave sepse numri më i madh i tyre është rregulluar me gjoba. I kemi 62 zyrtarë publikë të cilët jo vetëm gjatë procesit të deklarimit të rregullt po edhe në proceset e deklarimit të pasurisë me marrje të detyrës apo me përfundim deri në këtë moment, do të thotë nga 1 janari deri në këtë moment kanë pranuar gjobë për vonesë”, shtoi ai.

“Përveç këtyre, gjatë verifikimit të pasurisë i cili është përfunduar këtë vit, ne si agjenci jemi detyruar t’i dërgojmë si shtesë edhe 7 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për shkak të evidentimit të mospërputhjeve në deklarimin e pasurisë”, potencoi ai.

Deklarimi i pasurisë, siç thotë ai, këtë vit është realizuar përmes sistemit elektronik.

Buleshkaj theksoi se nga Policia e Kosovës është numri më i madh i zyrtarëve që e kanë deklaruar me vonesë pasurinë.