Pas analizave te AUV-it me produktet e qumështit që rezultuan me përbërje të padeklaruar, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar kontrolle intensive në të gjithë vendin.

Përmes një njoftimi, MINTI bëri të ditur se nga 6 gushti Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkërendim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, do të nisë kontrolle tek prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Sipas ministrisë, përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, si dhe deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të ligjit dhe mashtrim të konsumatorëve.

MINTI njofton se kontrollet do të fokusohen në përputhshmërinë mes përbërjes reale të produktit dhe asaj të deklaruar në etiketë, deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë, dokumentacionin e lëndëve të para, gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të tyre.

Sipas njoftimit, çdo produkt që, pas analizave laboratorike dhe verifikimeve zyrtare, rezulton se nuk përputhet me etiketën, do të tërhiqet menjëherë nga tregu.

Ministria ka paralajmëruar masa administrative dhe ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës, përfshirë gjoba, tërheqje të produkteve nga tregu dhe masa të tjera të parapara me legjislacionin në fuqi.

“Çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të sanksionohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e MINTI-së.