Me pesë vota të Këshillit Prokurorial, emri i Zejnullah Gashit është propozuar për Kryeprokuror të Shtetit.
Votat e Këshillit Prokurorial të Kosovës ishin të fshehta dhe Gashi mori shumicën e thjeshtë në atë trupë.
Në këtë mbledhje votimi, kryesuesi i KPK-së ia propozoi emrin e Gashit edhe Presidentes për dekretim.
VOX Kosova kishte raportuar për emrin e tij dhe lidhjet e tij me pushtetin me 02 Korrik 2026:
Zejnullah Gashi është emri më i poentuar i Komisionit Vlerësues për Intervistimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Emrin e Zejnullah Gashit keni mundur ta dëgjoni nga Albulena Haxhiu, kur ajo e denoncoi publikisht si një prokuror që i shkonte në zyrë për pazare.
“Ka pas raste ku prokurorë dhe gjyqtarë m’kanë qu fjalë që, për takim, me u marr vesh disi.Këtë histori Haxhiu e kishte treguar vetë edhe në polici”, kishte deklaruar Haxhiu me 02 korrik, 2024.
Por, befasisht, pikërisht ky prokuror u vlerësua me më së shumti pikë, plotë 91.6, nga komisioni i kryesuar nga Arian Gashi, një tjetër servil i mirënjohur i Vetëvendosjes.
Gashi, si kryesues i ri i Këshillit Prokurorial, me direktivë të Haxhiut e hapi konkursin e ri për Kryeprokuror.
“Këshilli Prokurorial sa më parë duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar, siç ka ndodhur në të kaluarën”, kishte thënë Albulena Haxhiu si U.D. Presidente e Kosovës
Pastaj, kur Donika Gërvalla mori Ministrinë e Drejtësisë, ndryshoi përbërjen e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e emëruar pikërisht Arian Gashin edhe në krye të Komisionit të ri.
Pra, si është e mundur që në një proces krejtësisht të kontrolluar nga njerëz të Vetëvendosjes, pikë më së shumti i jepet dikujt që këta vetë e kishin denoncuar?
Apo ndoshta deri tash Zejnullah Gashi i ka bindur për besnikëri udhëheqësit e një qeverie që besojnë se Prokuroria duhet të kontrollohet nga qeveria dhe as s’duhet të jetë e pavarur prej qeverisë.
“Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria”, kishte deklaruar Albin Kurti në Kanal 10.
Normalisht, kjo është e pavërtetë dhe gabim.
Drejtësia duhet të jetë krejtësisht e pavarur dhe e pakontrolluar nga qeveria, sepse ndryshe s’ka si t’i hetojë ministrat e një qeverie që nga raportet ndërkombëtare cilësohet si një qeveri e korruptuar.
E nga shtyllat e drejtësisë, kapja e pozitës së Kryeprokurorit është më e rrezikshmja.
Kryeprokurori ka pushtet që së bashku me Këshillin Prokurorial të bëjë emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.
Do të thotë, po qe i kapur kryeprokurori, ai rrezikon t’i emërojë të gjithë prokurorët servilë të pushtetit.
Dhe, prokurorë të cilët zbuluan aferat e këtij pushteti, rrezikojnë të zëvendësohen pak a shumë njëjtë si ndodhi me hetuesit e policisë që nisën hetimet e zyrtarëve të Vetëvendosjes.
Edhe për këto institucione kyçe, me mendësinë e Vetëvendosjes, pshtim nuk ka, veç vonim.









