Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve, vetëm një ditë pasi qumështorja “Vita” në Istog u mbyll nga pronarët e saj, në ditën kur në fabrikë kishin zbritur inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Duke folur të premten në ceremoninë e shpalljes së 556 përfituesve të Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”, Kurti tha se institucionet duhet të rrisin kontrollet dhe analizat e produkteve ushqimore.

“Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak, analiza pacientësh në spitale, është e nevojshme që të kemi sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”, deklaroi ai.

Kurti theksoi se bujqësia për Qeverinë e Kosovës nuk është vetëm një sektor tradicional, por një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, sigurisë ushqimore dhe forcimit të prodhimit vendor.

“Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vende pune. Për neve bujqësia është edhe çështje e sovranitetit ushqimor”, tha ai.

Deklaratat e Kurtit vijnë në kohën kur qumështorja “Vita” në Istog njoftoi mbylljen e aktivitetit të saj, pas kontrolleve zyrtare të zhvilluara nga AUV-ja. Kompania ka bërë të ditur se vendimi për mbyllje është marrë nga vetë menaxhmenti, duke e lidhur atë me procesin e inspektimit të kryer nga autoritetet përgjegjëse.

Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve dhe verifikimeve për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore në vend.