Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Përveç rinumërimit të plotë, në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren.

Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.

“Në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, tha Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Pasi që u konstatuan manipulimet, kandidatët për deputetë, kryetarët e partive dhe pjesëtarët e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

Në lidhje me manipulimet e votave të kandidatëve për deputetë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.

Më 13 janar, KQZ kishte vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve. Në 10 komuna ishte vendosur për rinumërimin e 100 për qind të vendvotimeve – Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Në 28 komunat të tjera, ishte vendosur për rinumërimin e 10 për qind të vendvotimeve – Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.