Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetushmërinë lidhur me zgjedhjen e Qeverisë të dielën me Albin Kurtin si Kryeministër.
“Jemi këtu tek Gjykata Kushtetuese, ku e deponuam kërkesën tonë për me e trajtu edhe pa çështjen e votimit të Qeverisë. Pra, ky Kuvend, i cili tashme ka dilema dhe është e vlerësuar prej anës tonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet, patjetër që duhet t’i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Tahiri ka paralajmëruar se secilin vendim që merret nga Kuvendi do ta dërgojnë në Kushtetuese, sepse konsiderojnë se është e rëndësishme që Kuvendi “të kthehet në binarë kushtetues”.
“Secili vendim që derivon nga ky kuvend i pakonstituuar ne do ta deponojmë në gjykatë kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri. Sot e bëmë për Qeverinë, e cila është votu më datën 13. Dhe po paralajmëroj se secilat vendime dhe secilat akte juridike që dalin ne do t’i sfidojmë në Gjykatë Kushtetuese për shkak se konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që vendi me u kthy në binarë kushtetues”, tha Tahiri.
Edhe të hënën PDK-ja e kishte dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit.









