Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka njoftuar se këtë javë do të fillojnë vendimet dhe pagesat për Pagesat Direkte 2026, pasi që shumë fermerë u ankuan se nuk po i marrin subvencionet e tyre.
Ata kanë thënë se për Pagesat Direkte 2026 janë pranuar gjithsej 33 mijë e 460 aplikime dhe se shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore kanë përfunduar.
“Gjatë kësaj jave do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për sipërfaqet bujqësore, paralelisht me publikimin e listave të përfituesve. Më pas do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes”, thuhet në njoftimin e AZHB-së.
Për mbështetjen e grurit për kilogram (gruri/kg), aplikimet e vitit 2026, AZHB ka theksuar se do të trajtohen sipas pragjeve të rendimentit të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ nr. 02/2026.
“Vendimi i Ministrit për përcaktimin e rendimentit mesatar kombëtar është detyrim ligjor, vlen për mbjelljet e vitit 2026 dhe do të reflektohet në kriteret e programit vijues”.
Ky vendim, thonë ata, nuk ndikon në aplikimet e pranuara për vitin 2026.









